
…erdhi nga qielli!
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma.
Ju flet kapiteni juaj.
Moti është i kthjellët por i ftohtë. Priten turbulenca pas mesazhit ngacmues të radhës.
Jemi 6000 metra mbi tokë. Jemi duke kaluar momentalisht mbi qytetin e tyre.
Pikërisht kjo që shihni është Katedralja Shën Patrik, në bulevardin e 5-të. Ishte një prej vendeve të tyre.
Ajo hynte shpesh, sidomos pas transferimit. I afrohej altarit. Ndizte një qiri për veten, një për të, një për të dy.
Hëh. Gjithmonë i kthehemi Zotit, a Universit, a Natyrës për çështjet e zemrës. Çështja më e komplikuar e planetit.
Ajo merrte shpesh avionin për tek ai.
Ai vizitonte shpesh aeroportin për të pritur atë. Ama, për ta përcjellë nuk shkonte asnjëherë. Ajo nuk do merrte kurrë një avion nëse ai do e çonte deri në dalje.
Ndonjëherë, jo rrallë, edhe ata vetë dyshuan nëse do ja dilnin. Kokëfortë, rebelë, herë-herë të çmendur.
Rrallë arrijmë të kuptojmë që i humbim shumë më shumë njerëzit duke i mbajtur në largësinë e dorës me ‘gënjeshtra’ se sa duke i jetuar në të vërtetë.
Sa guxim do, të arrish të dalësh mbi frikërat e tua?
E gjithmonë pyetja më e madhe mbetet: Po sikur ta çoj gjithçka në dreq?
Pyetja dhe frika më e madhe mbetet: Po sikur ta humb përgjithmonë?
Ai i ikte shpesh, e akoma më shpesh i kthehej. Në format e tij mistike. Por mjaftueshëm, sa për të mos e lënë atë të zhdukej nga ai.
Ashtu siç ka vajtur pas kohësh heshtjeje e i është fshehur ëndrrave. Ka vajtur kur ajo kish menduar që aq ishte, nuk ishte më, ai dilte diku, dhe gjunjët e saj nuk i përgjigjeshin llogjikës. Ajo e donte shumë më shumë arsyen e logjikën se ai, ishte shumë më shumë matematikë se ai.
Por, ai ishte ai. Ai ishte dashuria.
E kur dashuria ka mes oqeane, frikërat shtohen, e dorëzimi bëhet më I thjeshtë e I pranueshëm se përpjekja. E teksa ai mbyllte dyert e provonte të hiqte dorë në kokë si titra të pandalshme përsëritej:
“Po sikur? Po sikur unë e ti pavarësisht që e dyshuam çdo ditë të mund të ishim marrë vesh?
Po sikur unë e ti pavarësisht që na mungoi deri në rrëzë guximi për tu parë në mëngjes, të kishim njohur shumë më mirë njëri tjetrin në dritën e diellit?
Po sikur, pavarësisht çdo statistike, çdo historie, çdo pikëpyetjeje e pikëçuditeseje, t’ja kishim dalë?’
Edhe mbi të gjitha lërmë të të pyes që pavarësisht rrezikut për tu humbur përfundimisht (nuk e di sa të ‘fituar’ jemi tani), po sikur o zemër të kishim qënë të lumtur?”
Sepse ka disa dashuri, që sado që i jeton toka, i krijon qielli. Ajo vinte gjithnjë nga qielli për të.
Zonja dhe zotërinj,
Ju flet kapiteni juaj.
Për pak zbresim në Katedralen e Shën Patrik. Moti duket i kthjellët dhe i ngrohtë. Ata, sot lidhin kurorë. Ata që sfiduan qiellin dhe kaluan oqeane për dashurinë. Ata, për të cilët shpesh I kemi lexuar, rrallë I kemi jetuar, sot zbresim, për ti festuar.
© AZ