
…pas orës 2 të natës…
Është vonë. E di
Por gjithsesi do të vij.
“O le concedevi tutto, o non voleva niente.”
Këtë kërkoja unë prej kohësh. E gjeta ku më së paku e prisja. Dikë që ose duhej ti jepje gjithçka, ose nuk donte asgjë; ashtu fiks si unë.
Ti je kaotike që nga mënyra si e thua mirëmëngjes deri tek puthja e natës së mirë. Kaosi që vendos rregull në timin shpirt.
Jam nisur të vij për tek ty. Koha e ardhjes për tek ty më duket gjithnjë shumë e gjatë. Asgjë nuk është mjaftueshëm shpejt, e megjithatë sado ngadalë ja vlen pritja për ta ndjerë sërish kokën tënde të rrëmujshme mbi shpatullën time.
Por ti je njësoj si unë, me ty nuk ka masa të mesme. Nxehesh deri në thyerje e përkëdhelesh me të folur fëmije, e unë në të gjitha gjendjet të dashuroj.
Është vonë.
Qyteti i zhurmshëm, si kaçurrelat e tua të pabindur, duket sikur ka vënë në heshtje gjithë çka, për të më sjellë shpejt tek ty. Ky ashensori jot është kaq i ngadaltë, ama. Unë e di tashmë që jam vonë, nuk ka pse të ma kujtojë duke ndaluar në çdo kat (ose të paktën, kështu po më duket mua).
Trokas.
Heshtje.
Trokas sërish.
Hajde tani, unë e di që ti nuk ke fjetur. Qëndron pas dere në pritje për të matur durimin tim. Nuk do iki jo. Ndoshta nuk do arrij as të të bind që di të presë, se unë gjithnjë do nxitoj për të ndenjur me ty. Do kaloj semaforë me të kuq e do shkallmoj dyer nëse do më sjellin më shpejt në të tuat krahë.
Trokas sërish.
Dashuria ta provoka burrninë në çdo centimetër. Dua ta hedh në tokë këtë derën me të njëjtën dëshirë që kam nevojë të të ndjej aromën.
Të ndjej frymëmarrjen dhe detyroj edhe zemrën time ti ndalë rrahjet për pak, sa të të ndjej edhe njëherë frymën.
E di shpirt. Më fal. E di. Të dhemb. E di. Më prite siç priten historitë unike si kjo e jona.
Por unë jam një dreq frikacaku, që ika me vrap sapo dëgjova se si zëri jot rriti rrahjet në zemrën time. Nuk isha kurrë mjaftueshëm trim për të ardhur tek ty me gjithë frikërat e mia. U arratisa larg, me shpresën që do të të harroja, siç kisha harruar veten në fund të fundit. Burrat si unë, zemra ime, i dalin armëve përpara, por fshihen si fëmija pas syve që ju rrotullojnë botën.
Ka kaluar ora 2 pas mesnate. Asgjë e mirë nuk ndodh pas orës 2 të natës, përveç teje. Të kam puthur për herë të parë pasi kishte kaluar ora 2. Asgjë e mirë nuk ndodh pas orës 2 të natës përveç historive si e jona. Të kam parë për herë të parë sytë pas orës 2 të natës. Asgjë e mirë nuk ndodh pas orës 2 të natës, përveç gabimeve të sakta si dashuria.
Ti e hape derën. Edhe pse unë meritoja të rrija gjatë në pritje pas saj. Ti e hape derën edhe pse më ktheve menjëherë kurrizin, e nuk më le të të shihja sytë, por më lejove të të afroja pas vetes të paktën sa për të zhytur kokën në kaosin kaçurrels të preferuar në botë.
Asgjë e mirë nuk ndodh pas orës 2 të natës, përveç përqafimeve si i yti. Përqafimi që më mësoi të zgjedh veten, nga nevoja që kisha për të të zgjedhur ty.
© AZ
09/08/2022