
…përpara se të bëhet vonë !
Sa më kishte munguar gëzimi i thjeshtë për një kafe. Sot kisha mundësi ta pija kafen e mëngjesit më gjatë se zakonisht, dhe isha e lumtur sikur po pija kafen e parë të lirisë.
Mund ta quaj me plot gojën lumturi, atë gëzim naiv. Kishte shumë kohë që nuk më ndodhte. Mua ma njihnin të gjithë varësinë e pamohuar ndaj kafes, deri në zgjim më herët, thjesht për të pirë kafen rehat. Gjithashtu mirenjohjen e pakufinjtë ndaj këtij lëngu magjik që ma bënte “adultimin” goxha më të thjeshtë.
Nuk kam patur asnjëherë “turp” të pranoj kur jam keq, thjesht nuk e kam ndarë veten shpesh me të tjerë. Këtë mëngjes, teksa shijoja këtë kafe më gjatë se zakonisht, kujtova herët e para që kuptova se të kaloja kohë veç me veten time nuk ishte dhe aq keq. Se, në thelb, isha një njeri që ja vlente ti jepje kohë të dedikuar.
Mu deshën mjaft vite, për të kuptuar që më e shtrenjta pasuri që kisha, ishin minutat e mia, koha ime. Për një kohë të gjatë, e harxhoja kohën si të ishte para, që edhe nëse mbaronte bëja të tjera. Por, si çdo human tjetër, edhe unë, me të keqen mësova. Kur pashë se si mu injorua, se si u tall dhe nuk u vlerësua aspak koha ime, kuptova që kisha qënë unë e para që nuk e kisha vlerësuar, e më pas, të tjerët patjetër që nga unë do mësonin, unë e jap shembullin sa vlerë ka koha ime, unë e jap shembullin si duhem unë. Askush nuk na trajton keq nëse nuk ka parë dhe mësuar nga ne të trajtojmë keq veten. Njerëzit nuk e marrin pushtetin tek ne, jua japim.
Këtë mëngjes, bashkë me gëzimin e kafes, kuptova se nuk më rëndonte më gjë.
Ja kështu ndodh.
Thjesht zgjohesh një ditë e merr frymë më lehtë. Qyteti bëhet sërish miqësor, kaosi bëhet sërish relaksues. Je gati të pranosh atë gotën mbrëmjen e së shtunës me një të panjohur.
Ai loti që rrallë e gjen rrugën deri në siperfaqe nuk rëndon më si shkëmb.
Kalon !
Nuk ngjan kështu tani, e di.
Por, do zgjohesh një ditë e do kuptosh që shpesh minutat i hedhim në kosh duke i harxhuar ku nuk marrim asgjë mbrapsht. Do zgjohesh një ditë e do kërkosh thjesht një përqafim në shkëmbim të njëqind fjalëzimeve. Do zgjohesh një ditë e do kuptosh që idiotët më të medhenj që ke takuar në jetë, janë ata që dashurisë I ranë me shkelm duke menduar që do ju vinte sërish mundësia. Për fat të keq, ndoshta po atë mëngjes do njohësh në pasqyrë një nga këta idiotët.
Nëse ndodh kështu, dil me vrap, ashtu siç je dhe shko merre dashurinë prapë.
Sidomos atë për veten. Se nga ajo nis numërimi. Aty fillon bota.
Atë mëngjes, pije një kafe me veten, buzëqeshi qiellit, pastaj merr telefonin dhe bëje atë telefonatën, ose çohu dhe shko atje ku të ka mbetur zemra, përpara se të bëhet vonë.
…sepse, më beso, koha kalon e bëhet vonë, shumë shpejt.
© AZ