
Sa kohë të vijë do një harrim?
Kam kohë që po pres të vijë harrimi. Nuk qenka aspak korrekt. Unë e kam lajmëruar që isha gati, prej kohësh. Mendova që dhe ti i the diçka atë ditë që dole nga shtëpia, me gjithë gjërat e tua në krahë.
Zhurma e thatë e derës përplasur pas kurrizit tënd, ende më jehon në zemër. Si u bëmë ‘asgjë’ kaq shpejt, kaq thjesht?
Si thua? Do vonojë të vijë harrimi? Unë e kam gjithçka gati. E kam paketuar edhe dashurinë. Për momentin është ende tek unë, por do e vendos tek gjërat që ka harrimi për të marrë, sapo ti bjerë derës.
Në pritje të harrimit kam nisur një ritual të ri; i numëroj me zë të ulët të gjitha gabimet e tua.
E pastaj, krejt papritur në listë më futet se si ndjehej si përqafim ajo: “Je shumë e bukur” që thoje në çdo gjendje timen. E nuk kishte të bënte me faktin që të dukesha e bukur, se sa që ti të bukurën time e shihje tek sytë e askund tjetër.
Sa herë nis ti numëroj vetes të gjitha arsyet pse ti nuk bëje për mua, pse ne nuk bënim për njëri tjetrin, përhumbem. Njësoj siç pëhumbeshim në sytë e njëri tjetrit, edhe qëndronim në heshtje thjesht duke u parë. Por, do kalojë edhe kjo.
Se harrimi do vijë. Unë e kam lajmëruar. Ti pse nuk i the diçka? Apo secili prej nesh ka harrimin e vet? Ti tëndin e ke marrë me kohë, që atë ditë që përplase derën në të dalë. Ende nuk kam kuptuar asgjë nga ajo ditë. Por, siduket, harrimi jot ishte goxha i përpiktë. Harrimi jot fshiu gjithçka me shpejtësi, dhe ti të nesërmen u zgjove me faqe të kthyer zemër mbërthyer.
Këtej nga unë, e përpiktë është veç dashuria. Ajo është aty. Qëndron. Edhe pse, i kam thënë që presim harrimin, nuk lëviz nga vendi. Mban zemrën hapur edhe pse ka emrin tënd gjithandej.
Kam rreshtur edhe së foluri për ty. Ndoshta kjo do e bindë harrimin të vijë. Si një njeri që nuk ka folur kurrë, njerëzit gati tremben të më pyesin, kështu që për ty tashmë flasin veç gishtat e mij në letra e stilolapsa.
Për ty, flasin veç rrahjet për momentin. Ndërkohë që unë pres harrimin të vijë, rrahjet thurin melodi për ty, e mendimet vargje.
Nuk do e doja ndryshe unë dashurinë, përveç se kështu kokëfortë, edhe pse veç e imja. Unë nuk kam asgjë për të të kujtuar ty, asgjë të prekshme. Kam qindra fjalë, mbetur rrugës për tek ty, kam dhjetëra shikime mbetur labirinteve të shpirtit pa ardhur tek ty. Nuk kam asgjë përveç më të shtrenjtave pronësi të miat, zemër e shpirt mbetur peng, për tek ty. Ndaj më duhet harrimi, që të më kthehet gjithçka kam që ka mbetur tek ty.
Harrimi do vijë, unë e di. Veç dashuria nuk më ka thënë kur do ikë.
© AZ
21/07/2022