
Fillim…
Hapi me vështirësi derën e agjensisë dhe doli duke u munduar të hapte çadrën me shpejtësi. Binte shumë shi, frynte shumë erë, dhe bënte shumë ftohtë atë ditë. “Hmm…,-mendoi me vete,- në këtë ditë dimri, unë përgatis pushimet e verës…është e çuditshme si funksionon njeriu, apo jo? Atëherë kur i ka ikur absolutisht koha diçkaje, ne i japim rëndësinë më të madhe..” Vazhdoi të ecte, duke lënë mendjen të fluturonte… Ishte një ditë e çuditshme, ose më saktë ishte një ditë si gjithë të tjerat por, që ajo e ndjente të çuditshme. Vazhdoi të ecte, pa e ditur as vet ku po shkonte. I la këmbët ta udhëhiqnin. Ecte, megjithëse binte rrebesh shiu. Ajo e urrente shiun…e çuditshme apo? Si mund të urresh një fenomen atmosferik?! Por, në fakt për të asgjë s’të habiste më… Vazhdoi të ecte… Shiu po pushonte, ngriti kokën lart në qiell, mbylli çadrën dhe vazhdoi. Vazhdoi të ecte… me ritëm të ngadalë, duar në xhepa dhe sigurisht…kokën lart. Si dhe ajo vet, kishte një krenari të çuditshme. Dëgjoi zilen e telefonit të saj. Ishte një melodi e qetë dhe e embël që ajo e donte shumë. E mikluar nga ajo këngë, me një buzëqeshje fare të lehtë, u përgjigj në telefon. “Po më pret? Derisa ti po më pret do të vij patjetër! Jo, jo nuk ka nevojë të vish të më marrësh…unë do të vij vet!” Buzëqeshja e lehtë më parë, pothuaj e padukshme, tashmë u bë e plotë…dukej sikur i buronte drejt e nga zemra. Vazhdoi të ecte…por ndryshe. Dukej si një njeri që sapo kishte gjetur një motiv për të qeshur, një motiv për të ëndërruar…një njeri që sapo kishte gjetur një motiv për të ecur! “Të gjithë bëhemi kaq të lumtur kur e dimë që dikush na pret, sikur ajo folja ‘po të pres’ mban gjithë fuqinë e magjinë e kësaj bote…”- mendoi teksa vazhdonte të ecte me hap pak të shpejtuar, por duke shijuar çdo centimentër të asaj toke që aq shumë e donte. Vazhdoi të ecte…por tashmë e dinte shumë mirë ku po shkonte! Ndoshta do kishte vazhduar të ecte dhe po të mos kishte marrë atë telefonatë, do kishte vazhduar të ecte derisa të gjente rrugën e saj, shtegun e saj të gjurmëve…Por zgjodhi të mos mendonte për këtë. Filloi sërish shiu, hapi çadrën me qetësi, sikur nuk përbëntë problem që mund të lagej…tashmë shiu nuk e bezdiste, diellin e kishte me vete. Vazhdoi të ecte… az