
Kujtim i pa-kohë.
Të shoh teksa lëviz nga aneksi në kuzhinë. Me fustanin e bardhë me lule të zeza, flokët e kapura.
Më vendos miell edhe ujë në një pjatë të vogël, që të luaj me brumë, ndërkohë që ti bën gati brumin për petë.
Nuk jam më shumë se 5 vjeç. Të vij gjithë kohës nga pas, teksa ti vendos përparësen, shtron petat e byrekut.
Ky është imazhi im teksa shoh muret historikë të shtëpisë që mban gjithë fëmijërinë time, që mban hapat e mij të parë.
Tashmë është zhvendosur pothuaj gjithçka nga ato që ishin ende kur ishe ti. Janë zhveshur muret nga të gjithë dollapët që i ke rregulluar edhe ti. Janë zhvendosur të gjitha mobiljet që je ulur ti, që ke prekur ti. Tashmë askund nuk është prekja jote, përveç se në të gjithë rritjen time.
Teksa më zhduket gjithçka fizike që të mban ty, më forcohen edhe më shumë kujtimet që më rrahin në kraharor. Më kujtohet mbulesa që shtroje tavolinën, mënyra si më ndiqje derisa të haja deri në kafshatën e fundit, e më bërtisje kur hallakatesha për të fituar pak më shumë kohë, sidomos kur kishte ndonjë gjellë që nuk e doja.
E kam si tani përpara syve tavën e zezë, atë që vendosje bukën e shtëpisë bërë nga duart e tua. Shpesh mendoj që ende mund ta ndjej erën që mbulonte të gjithë katin. Zërin tënd të ngritur për të na lajmëruar që buka ishte gati, të uleshim të hanim sa ishte ende e ngrohtë. E ne që vraponim për të kapur kush të mundej koren e nxehtë.
Unë të ngjaj ty. Kështu më thonë të gjithë.
Kur ti vendose të ndryshoje dimension, mua s’ma merrte mendja që do më mungoje kaq shumë. Sa të pafuqishëm jemi para vdekjes. Sa të vegjël. Ajo vjen dhe na jep ndjesinë që na ka marrë diçka që na përket, se nuk merr veç një njeri, merr të gjitha rolet e atij njeriut.
Mendoja që kisha pasur mjaft kohë me ty. Pikërisht, mendoja. Se kur ti vendose të ngjiteshe lart, mua mu duk sikur diçka mu këput e u ngjit me ty.
Nuk kam asnjë kujtim të vetes së vogël që mos të të ketë ty në një cep. Të pata afër tek rritesha, e të habisja me pantallonat e grisura që ti mendoje që ishin vjetëruar. Të pata aty kur nisa punë dhe të tregoja që po ja dilja mirë. Andaj them, të kam patur gjatë e të kam shijuar mjaft.
Sa shumë shtëpi e bëje ti të ndihej atë hapësirë.
U bënë disa vite që më mungon të hyrit në dhomën tënde e të të them:
“- Nona kam ditlëlindjen.”
“- Uh u bofsh 100 vjeç mi non. Zoti t’nimoftë.” E më puthje në ballë.
Atë puthje, atë bekim dhe atë buzëqeshje i shtrëngoj fort në kraharor edhe sot. Nuk të ka pëlqyer asnjëherë të më shohësh jo kokëlartë. Por, mos u tremb. Unë vazhdoj kokëlartë. Të kam të gdhendur në mes të shpirtit si më të shtrenjtin bekim. Më vjen gjithnjë sa herë ndihem vetëm apo mendoj që nuk do ja dal dot. Ti je aty.
E ndjej dorën tënde në kraharor, teksa mi merr të gjitha lotët e mi kthen në sy si buzëqeshje.
© AZ
Qershor 2021