
…se ti do të vish patjetër.
I bëra foto. Veç ti do e kuptoje në fakt. Dhe do të ta tregoj kur të vish. Se ti, do të vish patjetër.
A e di që të gjitha këngët kanë kuptim tashmë?
Çdo fjalë e ndjej timen, tënden, tonën.
Ti do të vish patjetër. Jo se e kam tek ty sigurinë, ti je thjesht një human i zakonshëm i dashuruar me një njeri të jashtëzakonshëm, kështu që ti shpesh bën gabime e lëndon. Por, universi e gjen gjithnjë mënyrën për të më kthyer dashurinë mua. Dashuria e gjen gjithnjë rrugën për tek unë. Ndoshta sepse unë asnjëherë nuk i zemërohem, asnjëherë nuk e përzë; gjithnjë e pres, gjithnjë e di që do vijë, edhe në më të këqijat ditë.
Nuk është e thjeshtë ta veshësh dashurinë me emrin tënd, apo me emrin tim. Shpesh mendoj që askush përveç nesh, nuk do të na duronte dot. Të rrëmujshëm, spontanë, impulsiv, në vrap e garë me jetën gjithë kohën, përveç se kur jemi bashkë.
Kur jemi bashkë ka kohë. Kur jemi bashkë marrim frymë. Kur jemi bashkë, shohim qiell.
Ti je e vërteta ime më e thjeshtë. Të dua. Ja, kështu, e thjeshtë sa 5 shkronja e sa dy fjalë.
Të dua sepse ti di gjithnjë çfarë kënge të vendosësh.
Sepse, ti nuk ma lë asnjëherë gotën bosh.
Sepse, ti kthen gjithnjë kokën dhe pret nëse unë jam pak hapa pas.
Sepse, ti më sheh dhe e di që kaosi është emri im i dytë, që shpesh nuk di të zgjedh dhe i dua të gjitha dhe nuk dua asgjë.
Sepse di të më sigurosh që do vish sërish, sa herë më shtrëngon në përqafim.
Kur ty të të duhet të ikësh, unë nuk do vij në aeroport me ty se ti nuk do arrish të ikësh nëse unë jam aty, ama do jem duke të të pritur të vish. Siç po e bëj. Sepse unë e di, ti do vish patjetër.
Kur ti të vish do jetë ngrohtë, edhe nëse do jetë dhjetor.
E di këtë, sepse kam patur ftohtë gjithnjë kur kam qënë duke të pritur ty, apo duke të të menduar ty ndërkohë që nuk të kisha në krah.
E di që do jetë ngrohtë se ti gjithnjë ke ditur të më puthësh deri në shërim.
© AZ
Nisur më 29.07.21, përfunduar 29.11.21