
Njeri në formë zemre.
Unë duhet të të kisha njohur disa gota më parë.
Po po, pikërisht kështu.
Kur nuk kisha pirë saç kam pirë. Kur bota më dukej e ftohtë, e frikshme, e parehatshme.
Vera ime e preferuar është shtrirë tashmë në të gjitha qelizat e mia. E kam të thjeshtë të dashurohem me ty.
Sytë e tu janë kaq familjarë për mua. Buzëqeshja jote më duket sikur kam një jetë që e shoh dhe ja ndjej ngrohtësinë.
Sot, teksa të shoh që më ke zënë gjysmën e divanit dhe më ke privatizuar telekomandën, vazhdoj pyes veten nëse do duhej të të kisha takuar disa gota më parë.
Sa shumë më shumë do isha ruajtur. Do e kisha mbrojtur zemrën e mbajtur prej kohe larg mundësisë për tu arritur, edhe më shumë. Ama, nuk jam e bindur sa do doja ta shihja atë serialin tim në divanin plotësisht për vete. Tashmë mendoj që të mbështeturit tek ty është fiks vendi im.
Je kaq kokëfortë ti. Madje i lodhshëm mund të them. Por ke një të qeshur të përqafueshme.
Sa mirë bëre që zgjodhe dimrin të vish në jetën time. Çdo gjë tjetër do të ishte kaq ‘cliché’. Edhe pse, ku ka më bukur se të flasësh për dashurinë tani, në dimër.
Ti më zhvesh çdo ditë nga të miat mburoja. Më trajton si të jem gjëja më e brishtë që ke njohur.
Më prek si të jem thyeshme teksa më flet si të jem e pamposhtshme.
Do të dashurohemi gjatë, e kur të jemi drejt fundit do dashurohemi e ca më tepër.
Gjithmonë e kam dashur dashurinë. E kam veshur me motivet më hyjnore, i kam vënë mbiemra të rëndë përrallash, dhe e kam mbajtur larg të përditshmes, si të ishte e paprekshme, e paarritshme. Derisa erdhe ti. Ti, që i veshe humanit që je, formën më të bukur e të pastër të zemrës, e më tregove se si dashuria ndonjëherë, është thjesht kaq.
Ndoshta dashuria është kaq. Një njeri në formë zemre që të hedh diçka krahëve kur të zë gjumi në divan, një njeri që pret sa të mbarojë çfarë ke gatuar dhe pse po i hahet. Dashuria ndoshta është thjesht kaq, sa përqafimi në fund të ditës, kur puna ka qënë shumë e lodhshme dhe e shëmtuar, sa gjithçka ke nevojë është një telefon i fikur dhe një televizor i ndezur, dhe kokën tënde në prehrin tim.
Ndoshta dashuria është thjesht kaq. Dikush që është aty, gjithmonë, pavarësisht të gjithave, që e njeh mirë se sa thjeshtësisht e thyeshme është gjithçka është ndërtuar me kaq mund nga të dy, por gjithsesi e jeton edhe pse trembet.
Ndoshta dashuria është thjesht kaq. Një ndjenjë që lind si për të të kthyer besimin në qiell e magji. Nuk mund ta meritosh se nuk është trofe e as çmim, por mund ta festosh si më të shtrenjtin bekim. Ndoshta dashuria është thjesht kaq, një njeri në formë zemre që i njeh gjuhën rrahjeve.
© AZ
07.01.2022