
Tavolinë për 1, të lutem!
Jam zgjuar e uritur.
Është ora 10 e mëngjesit dhe unë po ëndërroj për drekën.
Sa kohë e shëmtuar. Ky shiu e bën ftohtë, edhe 40 gradë të jetë, e jo më në ditë shkurti.
Takimet i lënë radhën njëri-tjetrit dhe sapo unë marr pushim, në kokën time rreh ideja e ushqimit.
Ku do ha sot? E mbi të gjitha me kë?
Sa inat kam të ha vetëm. Gjithmonë kam lënë shoqërues në sfond për ushqim, qoftë edhe një film; mjaft që të mos ishte veç zëri në kokën time. Do i them Jonës, ajo do vijë patjetër. Ajo seç ka një sens të gjashtë për mua, edhe për gjëra që unë nuk i kam të qarta.
Ora 12. Jo jo, nuk ikën ora sot. Ende nuk e kam gjetur çfarë do ha. Me siguri do shkoj atje ku bëjnë atë suflénë e mirë.
Po i shkruaj Jonës. Sa të mbaroj takimin e fundit ajo do jetë afruar. Shkoj tek emri i saj. Qesh sa herë hap bisedën me të. “Imja” ja kam vendosur emrin. Nuk jam aspak posesive, thjesht emri Jona, ngjan më bukur njëjës: Imja. Qesh sërish me veten.
I shkruaj, dhe e lë telefon në karikim. Sa të mbaroj unë, ka marrë mjaftueshëm, sa për tu lidhur me Jonën rrugës për tek restoranti. Me atë rast, më në fund do flasim pak tamam, se çdo gjë na mbet në mes nga njëqind gjërat që na ndërpresin. Ja pra, nuk është aq keq dita me shi, kur nuk je vetëm.
***
Mbyll shënimet dhe drejtohem për nga telefoni.
“Mua nuk më ke sot xhan. Jam ulur për drekë. Të bëftë mirë. Shihemi nga darka po qe.”
E lexoj që nga lajmërimi i telefonit, pa e hapur fare si mesazh.
E ndjej që mërzitem, ndërkohë që po i them vetes që s’ka asnjë hapësirë për këtë. Por, për fat, ndjenjat janë kokëforta, e ndjekin rrugën e tyre. Vendos të ulem të mbyll gjithë shënimet që kisha vendosur ti shtyja.
“Të bëftë mirë dhe ty. 🙂
Flasim.”
Dërgoj mesazhin dhe zhytem në punë.
***
Sa shumë presim nga të tjerët ndonjëherë. Mendojmë që diçka na detyrohen. Presim të sillen siç ju sillemi, të na pozicionojmë ku i pozicionojmë.
E vërteta është që askush nuk na lëndon dot në masën që ne lëndojmë veten; me pritshmëritë tona të ndërtuara duke harruar që çdo urë ka dy anë.
Nuk kam e s’kam patur ndonjëherë dy njerëz me të njëjtin pozicion në jetë. Gjithmonë, secili ka patur vendin e vet; të pangatarrueshëm me të askujt tjetër. Sigurisht, të afërmit, ata që supozohet të të ruajnë shpatullat, ata që supozohet të të nxisin ëndrrat. Por, edhe ata, më të ngushtët, nuk munden të plotësojnë nevojën e vazhdueshme që ne kemi ndonjëherë për dikë.
Njerëzit do të të lënë vetëm gjithnjë. Sepse nuk munden, edhe nëse duan të jenë aty gjithë kohës. Je interes i përkohshëm.
Njerëzit nuk mund të jenë aty për ty gjithë kohën. Por, ti mund të jesh për veten. Ti mos e lër kurrë veten vetëm.
***
Dola nga koka ime. Kuptoj që është bërë vonë, e unë ende nuk kam ngrënë për sot. Mbledh çdo gjë. Nisem për atje, tek vendi me suflénë e mirë. Gati po perëndon, e tashmë u bëra për të ngrënë darkë. Një tjetër gjë që nuk I dua dimrit janë këto perëndimet herët.
Hapa derën e lokalit, e u drejtova për një nga tavolinat me pamje nga rruga. Atje tashmë ndjehet drita e perëndimit, e ato pak rreze dielli përkthejnë çdo gjë në hije tek muri.
– Mirëmbrëma, tavolinë për 1, të lutem!
– Patjetër zonjushë. Këtej.
Kamerierja e buzëqeshur, por dukshëm pak e hutuar më shoqëroi për një nga cepat e mij të preferuar. Në këtë qytet njerëzit rrallë e pothuajse kurrë, hanë vetëm.
– Të të sjell diçka ndërkohë që sheh menynë?
– Po, të lutem. Një gotë Chardonnay, të ftohtë, të lutem.
Ktheva sytë nga rruga. Unë kam kaq kohë që nuk di si është të qëndroj në shoqërinë e heshtjes sime.
Ndërkohë më erdhi vera. E ftohtë, siç kisha nevojë të ishte.
Ngrita dolli me veten. Për veten.
Për atë që nuk më la vetëm, e mirë do qe të mos e lija as unë.
© AZ