
Ti, bëhu ti.
Kushtuar fëmijëve rritur në familje të dhunshme.
Në shtëpinë time ka qënë gjithnjë një heshtje e frikshme ose një zhurmë e dhimbshme. Mami im ka qënë një grua e bukur, por gjithnjë e trishtuar.
Bënte gjithnjë ftohtë në atë shtëpi, edhe kur soba kishte dru plot. Qyteza ime e dinte mirë ç’bëhej brenda mureve të shtëpisë sime, edhe pse kurrë askush nuk foli, edhe pse, kurrë askush nuk trokiti, sa për të na kursyer “racionin” e një nate. Unë mësova herët që, i vetmi njeri që do mund të më mbronte ishte vetja ime. Mamaja ime nuk mundej, im vëlla nuk dinte, e babai…hëh…babai sulmonte. Ndoshta as ai nuk diti kurrë ç’po bënte.
Për një kohë të gjatë, ja vura fajin qytezës sime të vogël, por vite më vonë, mikesha ime e fakultetit do më tregonte për historinë e saj krejt të ngjashme, edhe pse rritur në katin e 25-të në një zonë të zhurmshme të kryeqytetit.
Për vite ja vura fajin mungesës së arsimit të nënës sime, derisa ajo më tregoi për mamanë e saj intelektuale dhe me post të rëndësishëm, që e kishte lejuar të dëshmonte të njëjtën dhimbje si timen, kilometra më thellë e shumë libra më pak.
Ende sot nuk e di si e mësova unë që as edhe një e qëlluar nuk ishte në rregull. Nuk besova kurrë që disa gjëra tolerohen, se njerëzit kanë edhe momente të dobëta. Mami im e quante veten shumë tolerante e unë mësova prej saj të mos isha kurrë ajo. Ajo duroi shumë, ajo pranoi në vetëmohim.
Mami im ishte, sepse nuk është më. Mami im ndoshta nuk qe kurrë. Ama më mësoi mua, të isha dhe për të.
E unë sot të lutem që ti, të mos jesh si mami im.
Unë ja dija çdo notë të qarës e dhimbjes së mamasë sime, në çdo oktavë, veçse të qeshurën nuk ja dëgjova kurrë. Do i kisha shkëmbyer tani të gjitha sakrificat e saj në emrin tonë, për ta parë veç njëherë duke qeshur me shpirt, duke ngritur dolli për jetën.
Ajo nuk zgjodhi të jetonte ashtu, ose ndoshta zgjodhi çdo ditë, por unë nuk ndihem e zonja ta gjykoj. Unë e doja mamanë time shumë, edhe pse më dhimbset gruaja që ajo ishte. Unë e doja shumë, por ti, mos u bëj si mami im.
****
Nuk kam dashur kurrë ti ngjaj tim eti. Edhe pse në fisin tonë e mbanin si burrë të rrallë. Ai tregonte me krenari që i ngjante të atit gjithashtu. Edhe pse unë nuk mbaj mend asgjë nga im gjysh, përveç shikimit të tmerruar të sime gjysheje sa herë ai hynte në derë. E mbaj mend mirë nan loken (ne kështu i thërrisnim) si qau kur ai vdiq, por sot mendoj që po qante nga lehtësimi.
Sot unë jam në vend të tim eti. Kam një grua në shtëpi, kam dhe dy fëmijë; djalë e vajzë. Vajza është e madhja, e megjithatë unë po i mësoj me kujdes e këmbëngulje tim biri që ta mbrojë të motrën mbi gjithçka, edhe mbi ne, sidomos, mbi ne.
Unë se bëra dot kurrë për time motër. Ajo sot është e fuqishme, ime bijë e sheh dhe sheh tek ajo gjithçka do të jetë kur të rritet, dhe unë jam krenar, edhe pse nuk kam pse në fakt. Nuk bëra kurrë diçka për të, edhe pse ajo ma ka thënë njëherë, thua se e ndjente fajin tim, që unë isha njësoj si ajo. Nuk mund ta mbroja atë, ashtu si ajo nuk më mbronte dot mua.
Ndër vite më kanë shoqëruar lëvdata për babain tim, për atë që ai kishte qënë për vendin, për çfarë kishte bërë për miqtë, e unë kurrë nuk pata guximin ti kthehesha e tu thoja se si unë nuk kisha as më të voglin kujtim të bukur të tij. Jam i bindur që diçka ka patur të mirë tek ai. Ime motër ka trashëguar karakteristika të tij, por për fat është shumë më e fortë. Ai ishte aq i dobët sa e vetmja forcë që kishte ishte të ngrinte dorën ndaj saj. Unë i kam ngjarë shumë sime mëje. Nuk mësova kurrë të ngre zërin, të paktën në atë qytezë të vogël që mban gjithë dhimbjen time të madhe.
Sot, shoqja ime e jetës, më zgjon shpesh për të më qetësuar nga makthet që nuk i kam shëruar ende. Sot, dashuria për mua është paqe, zë i ngritur kur këndon, falje kur lëndon, përqafim kur fal…
Sot, për mua, dashuria është gjithçka shtëpia ku u rrita unë, nuk ishte.
Babai im, me siguri ka qënë një shok i mirë, e me siguri ndoshta në ndonjë moment është munduar të jetë një burrë i mirë, por, ti, ti mos u bëj si babi im. Mos beso kurrsesi që pas asaj të goditurës fshihet ndonjë grimcë dashuri.
****
Ti, mos u bëj si mami im.
Ti, mos u bëj si babi im.
Ti, bëhu ti.
Ndërprite këtu. Historia e tyre nuk ka pse të jetë e jotja.
Zgjidh dashurinë, përqafimin, e fjalën. Zgjidh diellin e kërko yjet.
Zgjidh veten, gjithmonë.
© AZ
23.01.2022