
Përrallë në tarracë
“Rooftop fairytale” – “Përrallë në tarracë.”
Nëse do bëhej një film për mua, unë do doja të zhvillohej pikërisht në një tarracë.
Vajzë tipike kryeqyteti ë?! Nuk më bezdisin kurrë zhurmat, dashuroj kaosin, më mungon rrëmuja, e ajrin e pastër e dua veç për pak. Një histori me tarracë më shkon mua po aq saç i shkon vajzave të detit një histori me far.
Një balancë perfekte mes lirisë e shtëpisë. Kjo është dashuria për mua. Një kraharor që është shtëpia më e dashur, e i vetmi vend që ndihem e lirë si askund. Me siguri ne do të jetojmë në një ndërtesë të lartë që ka akses në tarracë.
Në tarracën e një ndërtese të lartë.
Atje do të jetë vendi jonë.
Dua 45 minuta më shumë me ty. Kurdo të njihemi, unë do doja të të njihja diçka tek treçerek ore më përpara. Sepse dua që të vijë treçerek ore më shpejt momenti ynë i parë në tarracë, ku unë do të të tregoj për herë të parë sa i dua tarracat. Ku do të të zgjas një gotë verë të mirë, nga ato që pihen në ditë të mira e të këqija. Do të të tregoj sa shumë më shumë i do yjet, kur duhet të ngjitesh lart për ti parë, se në qyteti si ky i joni është pak e vështirë ti shohësh ndryshe. E të ndaj me ty, si me pakkënd, sa shumë i dua tarracat e ndërtesave të larta, se si më kanë shoqëruar të dielave dhe më kanë sheqerosur mbrëmjet e të hënave të lodhshme.
E një natë të ngrohtë vere të më kërkosh ti të shkojmë, si një ritual tonin tashmë. Pra, duhet të jetë verë. Të jetë shumë ngrohtë. Të jetë aq ngrohtë sa i vetmi vend ku mund të gjesh pak rehati, të jetë në tarracën e ndonjë pallati të lartë. E atje dua të të dëgjoj për herë të parë duke më thënë:
– “Të dua”.
Por, njeriu nuk e përcakton dot kur do e dëgjojë “Të dua”-n e parë, apo atë të fundit, apo jo?
Nëse ne do jemi me fat, kur ti të më thuash “Të dua”, unë do jem gati për të të dëgjuar. Nëse ne do jemi me fat, unë nuk do kem frikë të ta them mbrapsht. Nëse ne do jemi me fat, unë nuk do iki me vrap.
Ndoshta prandaj dua ta dëgjoj për herë të parë kur të jem në tarracën e ndonjë ndërtese të lartë. Sepse e di që do të të dua, e di që tani. Do të të njoh menjëherë kur të të shoh. Do më duket sikur të kam njohur prej kohësh. Do më duket sikur kam qënë duke të të pritur prej kohësh. Do më dukesh familjar, e di. Do mendoj: “Oh, qenke ti.”. E me siguri, do nisem turravrap për të ikur nga ti. Ndaj do ishte mirë të ishte në një tarracë, mundësisht në kat të 22-të. Sepse, nga aq lart, nuk kam ku iki me vrap, përveç se në krahët e tua. Nuk kam si arratisem, përveç se drejt teje.
Në një tarracë, të një ndërtese të lartë, të një kryeqyteti kaotik. Pikërisht atje sipër, ku rrëmujën e vëzhgon nga sipër, ku je pjesë e kaosit edhe pse ndihesh në qetësi. Atje ku edhe pse në mes të qytetit, ndihesh më afër qiellit se tokës, atje dua të më premtohesh e unë të mos vrapoj, por të qëndroj.
© AZ
11.03.2022