
Mbaron me mua.
*Dedikuar fëmijëve rritur në kushte dhune dhe/ose neglizhence.*
Hej ma,
Unë po bëj gjithçka ti nuk dite.
A e di? Vajza ime vrapon për tek unë sa herë unë shkoj ta marr në shkollë. Kur ulet të bëjë detyrat, më thërret të jem me të, jo për ta ndihmuar, thjesht ta dëgjoj.
Kur unë ngre zërin ndonjëherë, ajo vjen dhe më përqafon, e ndonjëherë, pa arritur ta them unë, më thotë: Ska gjë mami, të kam falur. Ajo e di, nëse unë bërtas, duhet të kërkoj falje.
A e di ma, ajo i ka sytë kaq kuriozë. Më duket sikur mban gjithë pyetjet e universit aty. I ka në formë bajame.
Por, ti nuk e di në fakt. Ti nuk e di, se ti ke kohë që as ma dëgjon zërin e as mi sheh sytë.
Unë e kam bindur veten që diku rrugës, diçka të theu, e ti nuk dite të ishe as për veten, e sigurisht as për mua.
****
Hej ba,
Unë po bëj gjithçka ndryshe nga ty.
A e di? Ja di të gjitha aktivitetet tim biri. Shkoj gjithnjë minuta përpara që atij të mos i duhet të më kërkojë nëpër shkallët e stadiumit përpara ndeshjes; por ta dijë që jam aty.
Sa herë bën gol, ai vjen vrap për tek unë, e me gëzimin e fëmijës më pyet:
“Ba, e pe sa i bukur ishte goli? Bëra atë lëvizjen që më ke mësuar ti.”
Unë kam gjithnjë një përgjigje për të ba’, sepse e shoh me vëmendje, e dëgjoj gjithë kohën.
Por, ti nuk e di në fakt. Ti nuk e di, sepse ti ke qënë aty veç për të më kujtuar kush bënte ligjin e sa më i fortë ishe.
Unë e kam bindur veten tashmë që ti nuk është se nuk më doje, por dashurinë nuk e kishe parë, nuk e njihje e për pasojë nuk dije ta jepje.
****
Unë sot nuk e di a jam prind më i mirë se ty. Ajo që di është që fëmijës tim nuk do i duhet të pyesi veten a është i mirë mjaftueshëm për mua. Fëmijës sim nuk do i duhet të më njohë nga tingulli i hapave në dysheme, apo nga mënyra e hapjes së derës. Fëmija im nuk do e dijë si rëndon pëllëmba ime në fytyrën e tij, nuk do ja njohë peshën fuqisë time fizike përveç se për të kuptuar sa gjatë mund ta mbaj në përqafim; e megjithatë unë do jem gjithnjë personi që largohet i fundit nga përqafimi.
Ajo që di është që sa herë frustrohem me të, se do të luajë kur në fakt duhet të bëjë detyrat, kur qan sepse diçka e shqetëson e nuk di të ma thotë, shkoj tek njeriu im i jetës e kërkoj atje paqen e durimin për njeriun e vogël që kemi bërë bashkë. Ne ja kemi premtuar njëri-tjetrit, që do të jemi shtëpia që fëmijët tanë do të vijnë gjithnjë, e do të sigurohemi që asnjëri prej nesh të mos jetë arsyeja që mezi presin të ikin nga shtëpia. Fëmija ynë nuk do të ketë një fëmijëri nga e cila do të ketë nevojë për rikuperim.
Sot,
si fëmija jot, të kam falur;
si prind, nuk të kuptoj e nuk do të të kuptoja dot kurrë.
© AZ