
Le të bëjmë art, të dy!
Do doja mos të të kisha njohur kurrë, ofendim që shkërmoq kockat – e bërtita sot këtë fjali. Me të njëjtën fuqi që fjalëzoj përqafim që ngjit kockat.
Qesharake, ë?!
Sigurisht që nuk e mendoja!
Normal që nuk e ndjej kështu! Ti e di po aq mirë sa unë këtë gjë.
Por, sot e thashë. Sot zgjodha ta fjalëzoj kështu morinë e emocioneve që provokon ti. Inatin, për shkak të paaftësisë për t’i dhënë drejtim kësaj rrëmuje, nervat deri në zemërim, shtrëngimin në mes të kraharorit, dëshpërimin deri në lot, dhimbjen deri në klithma, dridhjet në çdo cope shpirti. Sa shumë gjëra kanë shpëtuar pa u thyer në ato momente. Sa shumë njerëz kanë shpëtuar pa u lënduar në ato momente. Atë që unë zgjedh të mos e bëj, ti e bën në perfeksion.
Ta kanë thënë ndonjëherë që di të lëndosh shumë mirë? Serum helmi në vena je, siç vetëm ti di të jesh.
E di… të pëlqen shumë lufta ty, por s’e di sa i bukur është armëpushimi ama. Mban aromë lirie dhe ka shije paqeje.
Mos më jep më arsye për të hequr dorë, sepse e ke luftë të humbur, shpirt. Por, kjo luftë sa e jotja, është dhe e imja. Ndër gjithë ‘ti’-të që numëroj ka shumë ‘unë’ që nuk i kam rreshtuar. Janë sa “ti” aq “une”, ndoshta…
Ah, sa shumë kemi folur dhe sa pak kemi thënë une e ti. Kemi rreshtuar fjalë e fjali njëra pas tjetrës e kemi pretenduar që diçka kemi nxjerrë në dritë.
Sa patetik të mjerë të dy!
Por, e vërteta është që kemi lënë shumë gjëra pa thënë. Kemi lënë shumë gjëra për t’u marrë me mend, e kemi patur shumë pak guxim për t’u parë në sy.
Nëse nis të numëroj emocionet që më nxit, mes gjithë atyre që do të ndiznin edhe një vullkan, ka një të vetëm që do të pushonte çdo luftë timen të brendshme (…dhe ti NUK e di si shkatërrojnë luftërat e mia). Emocion që mban emrin e shpirtit tënd. Është emocion që ndalon botën, qetëson stuhi e tërmete, shuan drita e ndez fishekzjarre në hënë.
Unë nuk di t’i mbaj mëri këtij emocioni. Shpirti im s’di veçse ta dojë shpirtin tënd.
Ah, ai shpirti yt!
Do më duhej t’i vija përreth Ekuatorit deri në infinit për të shpjeguar shpirtin tënd dhe jam e bindur prapë nuk do kisha të ngopur.
Ai shpirt kthen jetën edhe pasi të ka marrë frymën!
Qetëson çdo inat, dëshpërim, mllef, ofendim. Shndërron çdo dridhje në mornica kënaqësie, çdo klithmë në rënkime të adhurueshme. Di të dëbojë çdo demon dhe të të japë në duar paqen shpirtërore. Ngre flamurin e bardhë në qendër të qenies sime, si zot toke. Di të jetë mburojë jete dhe liri shpirti, në të njëjtën vlerë absolute. Ka të bëjë më shumë me magjinë, dicka jashtë realitetit që ne jetojmë.
Transformon çdo pejsazh të zymtë në ylber, por jo nga ai me 7 ngjyra, por me infinit ngjyrash.
Shpirti yt ka fuqi hyjnore: “Shëron të kaluarën, buzëqesh të tashmen dhe përqafon të ardhmen.”
Shpirt… ti je shtepia ime.
Ah, sa herë më duhet t’i bie Ekuatorit përreth unë për ty. Pafund është shumë pak!
Për çdo nerv që e kthen në buzëqeshje. Për çdo dëshpërim që e kthen në durim. Për çdo dhimbje që e kthen në shpresë, për çdo fushë beteje që shpirti yt kthen në oaz paqeje, faleminderit.
Me shumë mirënjohje mund të them që ka qënë me të vërtetë një kënaqësi e pafundme të të njihja!!!
E kupton tani pse e ke luftë të humbur me mua, zemër?
Sepse shpirti im vallëzon me shpirtin tënd, edhe në mes të tërmetit, edhe në mes të luftës. Sepse në melodine tonë, une besoj fort në ne. Sepse unë notoj e paqtë në pafajësinë e fëmijës që ke në gjoks. Dhe s’ka fare rëndësi sa herë do më duhet të mbytem për të mirën tonë.
Sepse shpirti im dashuron shpirtin tënd aq fort, sa edhe nëse do humbisja kujtesën, ty, do të të mbaja mend, dashuri.
© Ana T. Gjyms’HANA
(në bashkëpunim të gjatëgjithkohshëm me AZ)