
Ti je gjithnjë në kohë
E lehtë si dielli i mëngjesit të fillim qershorit.
Dashuria për ty është shumë e lehtë.
Nuk lodh. Nuk rëndon. Nuk është luftë.
Patjetër, është përpjekje. Sigurisht, është durim. Por, është e paqtë.
Vjen e lehtë. Vjen pa zhurmë.
Fiks si ti, kur hyn në dhomë, pasi mua më ka zënë gjumi tashmë. Vjen majë gishtave, futesh me kujdes nën çarçafë, që mos të më zgjosh, e pastaj gjithë përpjekjen e lodhshme, e hedh në kosh duke më afruar nga vetja me një përqafim rrëmbyes.
E unë s’do e doja ndryshe kurrsesi. Zgjimi im i preferuar është ashtu.
Kanë kaluar veç 10 ditë që kur jemi parë për herë të fundit. Ti ike në Verona, dhe mua, për dreq, mu thye telefoni pikërisht duke dalë nga aeroporti. Kam jetuar si njeri shpelle këto ditë. Kam mbajtur telefonin Nokia që dhe numrat si ka të regjistruar. 10 ditë nuk janë dhe aq shumë kur e mendon, ama, për herë të parë që nga njohja jonë, janë 10 ditë pa ti parë e pa mi parë sytë.
Nuk kemi mundur as të shihemi në videocall, veç jemi dëgjuar. Nuk ma merrte mendja që do më mungoje kaq shumë. Unë jam mësuar me ndjenjën e mallit që herët. Por, ky malli për ty, për ty që në thelb ke kaq pak në timen jetë, qenka tjetër gjë. Përveç syve të tu fjalëplotë, më kanë munguar të gjitha mesazhet që gjeja çdo mëngjes në whatsapp, këto 10 ditë.
Dashuria jote është kaq e lexueshme. Je aty, më flet, kujdesesh. Nuk më lë asnjëherë të marr diçka me mend. Më ke njohur e kuptuar, pa e marrë unë vesh, e mi hedh gjithnjë të gjitha në tavolinë, për të mos më lënë të zhytem në vorbullat e labirintet e mendjes sime që nuk pushojnë kurrë.
Ti ma pranon kokëfortësinë edhe pse ta provon çdo limit. Unë të jap të drejtë dhe kur të dy e dimë që je gabim, një marrëveshje që e kemi bërë pa fjalë, se ty të pëlqen kështu. Ne zgjedhim çdo ditë të jemi, të qëndrojmë, të luftojmë për dashurinë, krah për krah, pa e prekur përditshmërinë.
Teksa të pres në aeroport të zbresësh, me emocione sikur po të takoj për herë të parë, merrem me telefonin e munguar prej ditësh. Hap whatsapp, edhe siç e dija dhe doja, më presin dhjetëra mesazhe të tuat, që ti mi ke lënë aty për ti lexuar kurdo do e merrja telefonin.
Më mbeten sytë edhe zemra tek njëri.
“Jom tu dek syt’ me ti pa.”
Ti e di, unë mendoj që gegnishtja e gjen më thjesht gjuhën për në shpirt.
Edhe pse, ty, nuk tu desh gegnishtja për ta gjetur rrugën në timin shpirt.
Qesh me zë e me shpirt, i bëj ‘star’ (patjetër) e ngrihem të afrohem tek dalja e pasagjerëve, se ti je gjithnjë në kohë rrugës për tek unë. Ashtu, me një shpirt të qetë e zemër të paduruar, të pres përqafimin tim të munguar.
© AZ
17/07/2022