
E vogla.
“Ç’sy mistrec. Sytë e tu duket sikur nuk duan të humbin asgjë.” – tha ai gati nëpër dhëmbë e vazhdoi me çfarë ishte duke u marrë.
Unë mbeta.
Çfarë i thuhet dikujt që praktikisht të ka zbuluar një gjë, që mendoje që ishte vetëm e jotja?!
Sytë e mij kishin qënë gjithnjë arma ime sekrete. Vërtet mundohesha të shihja gjithë kohën gjithçka. Ishte mekanizmi im mbrojtës. Duke parë gjithçka, pakgjë mund të më shpëtonte, e për pasojë nuk mund të surprizohesha, sidomos për keq.
Nuk duhet njeriu të ruhet kaq shumë sa unë, dreqi ta marrë. Edhe në u lëndofsha, nuk vdes. Kështu do doja ta mendoja, por ja që nuk e shihja kështu.
U ngrita pa bërë zhurmë nga karrigia, me shpresën që nuk do ja tërhiqja vëmendjen. Le të vazhdonte me punët e veta, sa të merrja veten unë, nga lakuriqësia që sytë e mij kishin treguar para tij.
Dukshëm ai njihte mjaft nga jeta, edhe qartazi të më lexonte mua nuk do ish’ detyra më e vështirë në larminë e gjërave që ishte përballur. Ama, sigurisht, unë prisja pak më shumë besnikëri nga vetja. Shpirti im pothuaj ishte zhveshur totalisht para tij, edhe pse unë mendoja që e vishja me pallto edhe në gusht.
‘E vogla, a ke plane për nesër?’ – u dëgjua në hapësirë zëri i tij.
Nesër? E ç’plane mund të kesh një të enjte qershori përveç se të shijosh?
Prit një minutë; e vogla?! Po këtë ku na e gjeti tani?
E ndjej që jam gjithë kohës duke u ruajtur, me frenat e dorës ngritur, edhe pse, diku thellë, më buzëqeshi shpirti për atë “e vogla”. Unë kam kaq shumë nevojë të jem e vogla diku. Të mos ndjej peshën e botës, përgjegjësi që realisht janë shumë të mëdha për shpatullat e mia, që për hir të së vërtetës, janë ende të vogla.
Kthej me fund atë gotën e verës, si një premtim ndaj vetes. Qesh.
‘Ç’plane mund të kesh të enjteve të qershorit?!’ – e pyes duke u munduar të dukem shkujdesur.
Ngrihet nga aty, më afrohet aq sa mund t’ja ndjej frymëmarrjen në të gjithë fytyrën, më puth lehtazi në majën e hundës, dhe buzëqesh.
‘Të tregoj unë për pak planet që bëhen të enjteve të qershorit.’ – thotë me zë të plotë, teksa mbush sërish gotën bosh të verës.
Thua, e di ai, sa shumë nevojë kisha unë ta gjeja plot gotën e verës?!
© AZ