
|∞|
Ky qytet nuk ka asgjë timen, përveç teje.
Ti më dhe një vend këtu. Këtë qytet e kam lidhur padashur me ty, sepse ke ardhur me mua, edhe pa qënë në krahun tim. Më ke dhënë diçka për të buzëqeshur, sa herë vije pa lajmërim, siç ti di, në të miat mendime, e në timen jetë.
Do kisha dashur të të kisha harruar. Domethënë, jo do kisha dashur, por do kishte qënë më e thjeshtë. Shumë shpesh jam nisur asaj rruge, ti e di mirë. Mbi kurriz i ke kaluar të gjitha. Por, nuk arrita. Asnjëherë.
Përtej faktit që unë dhe e thjeshta nuk jemi takuar kurrë, kur ti u shfaqe në rrugëtimin tim, u firmos edhe siguria, që unë dhe ‘e thjeshta’ nuk do shiheshim, as do shkëmbeheshim e aq më pak të takoheshim në një pikë; kurrë!
Ti je vlera ime absolute. Po po, ja fiks kështu. Pafundësia ime absolute. Mi dhuron të gjitha emocionet, pafundësinë e spektrit të ndjenjave, në ekstreme. Edhe të mirën, edhe të keqen, edhe makthin, edhe ëndrrën, edhe lumturinë, edhe zemërimin, edhe edhe edhe…
Nga gjithçka më dhuron dhe çdo buzëqeshje 24karatëshe që më stampon, krenaria është e preferuara. Unë e dua kaq shumë veten në krahun tënd.
Kështu madje e kam kuptuar që do ishte e kotë të të shtyja. Në krahun tënd bëhem versioni im më i mirë. Qesh shumë. Mbaj kokën lart e kurrizin drejt. E di kush jam, dhe e di sa vlej. E unë kështu e kam parë gjithmonë dashurinë, si diçka që të rrit, të zbukuron, të shumëzon, dhe asnjëherë nuk të zvogëlon.
Nuk më ka munguar kurrë forca, e kam patur marrëdhënie mëse të mirë me errësirën, ama, e dua sesi më ke bërë të dua dritën edhe më shumë, zbutjen akoma më tepër. Ti mi bën strehë zemërimit e trishtimit, e me qetësinë tënde olimpike ma mëson sërish nga fillimi buzëqeshjen.
Kemi kaq shumë për të ecur. Kemi kaq shumë për të bërë. Kemi kaq shumë për të thënë.
Mbi të gjitha kemi një sirtar me ëndrra plot, në pritje.
Ma mbush dhe mua një gotë verë.
Gëzuar!
Ktheje me fund dhe hajde. E hapa sirtarin. I lashë ëndrrat zbuluar. Zgjedhim një dhe hajd’ ta realizojmë. Unë dhe ti. Ne.
Vlera ime absolute, infiniti jot papërcaktuar; ne veç kemi nisur. Unë nuk e mbaj më mend një ditë pa ty, e as kam ndërmend ta kujtoj. Ti je realiteti im magjik, e unë kështu do jetoj, mes dëshirave hedhur në yje e planeve realizuar në tokë. Do ta tregojmë një ditë udhëtimin tonë, ama qoftë libër, a film unë e di si do mbyllet:
Ata që jetuan siç deshën!
© AZ
Gusht 2018