
Mua malli më ka.
Tek shëtisja nëpër botën e rrjeteve sociale, më doli para një shprehje e profesoreshë Ledi Shamku Shkreli, që unë gjithnjë e kam quajtur Ledi e shqipes, mbi mënyrën si e themi ne ndjenjën e mallit.
Në gjuhë latine mallin e ke, e në shqipen tonë të veçantë e unike, malli na ka ne.
Mua malli m’ka pas prej vitesh. E kam ndjerë shpejt e herët, edhe kur ende emrin s’ja dija mirë, e forcën veç ja ndjeja por nuk e kuptoja.
Ama e kujtoj shumë qartë kur malli, kjo ndjenjë e fortë, nisi të zinte një pjesë të madhe të ndjesive të mia. Teksa ecja e prekja rrugët e gurët e një tjetër vendi, e kërkoja kudo pak Tiranë, pak qytet timin, pak shtëpi, pak vete.
Kur isha e vogël e lexoja Naimin, mendoja që Atdheu është kaq abstrakt, si mund të shkruash aq bukur për të. Shumë shpejt do kuptoja që në fakt, Atdheu ishte më konkretja që kisha. Ishte toka ku ecja, ishte shkolla ku mësoja, ishte tek ushqimi i mamit, ishte tek shpatullat e babit, ishte kudo.
Kështu që kur njoha mallin për vend, tashmë e dija çka ishte. Më merrte malli që nga gurët e deri tek ato versione të vetes që asokohe më dukej sikur mi kishte ky malli që mi merrte e mi çonte përtej detit.
Shpirti im prehet në rrëmujë, në të rrëmujshmin kaos të së shtrenjtës Tiranë. Prandaj dhe malli për Tiranën, ishte i gjithanshëm e gjithëngjyrësh. Malli për Tiranën, sillte mallin për tokën, e cila më rriti e më dha themele.
Malli për njerëzit që i kemi larg kur i duam afër është një tjetër lloj robërie. Kur ke njerëz që i do dhe të duhen, larg në kilometra, ajo liria aq shumë e dashur, aq e mezipritur, duket sikur nuk ekziston. Sepse janë ndoshta thjesht dhe vetëm një avion larg, ose ja edhe dy, ama janë aty, veç ti nuk mund të shkosh, e atë përqafimin e munguar thjesht nuk mund ta marrësh.
Në këtë botë që po ftohet çdo ditë e më shumë, në këtë kohë po i arratiset emocionit në turravrapin e ngarkesave ditore, është fat i madh të ndjesh mall e të kesh njerëz që të bëjnë t’jua ndjesh mungesën.
Pastaj është malli për ata që nuk i kemi më në largësi kilometrash, për ata që tashmë i gjejmë veç në ëndrra e rrahje zemre. E malli për ta, thjesht jetohet, ashtu bashkë me frymëmarrjen.
E ka edhe nga ai mall për ata që janë afër. Për ata që janë aty, në largësinë e një telefonate, por që kanë humbur prej kohësh veten e tyre. Më e frikshmja mungesë, më e hidhura humbje.
Më ka marrë malli, e më ka…
…veç veten dua ta kem unë.
© AZ
21/10/2020