
Do të të duhen njerëz.
Ne jemi të përkohshëm. Njerëzit vijnë e ikin nga jeta jonë pasi mbarojnë misionet e tyre. Ka njerëz që do donim ti kishim përjetë e përtej, e ndaj kërkojmë vazhdimisht mënyra për ti rregulluar gjërat kur shkojnë keq.
Mos prit nga njerëzit të jenë altruistë e të mendojnë për ty, e të kujdesen për ëndrrat e tua a për shpirtin tënd të dërrmuar. Nuk është detyra e askujt.
Bëhu ti egoist. Mendo për vete. Merr kohën tënde për tu shëruar. Mungo në punë thjesht për të bërë një xhiro në ajër të pastër e për tu lidhur sërish me natyrën.
Merr pushimet vjetore thjesht për tu marrë me ato ëndrrat e lëna peng prej kohësh.
Përdore kohën për të shëruar shpirtin tënd të parin. Mos prit të të vënë në listën e prioriteteve nëse ti nuk e ke vënë veten në tënden.
Njerëzit do marrin çu duhet nga ty e do ikin. Jo se janë të këqinj, jo se janë të pandjeshëm, por ky dimension kështu funksionon. E prekshmja dhe materialja është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë dimension, por nuk mund dhe nuk ka pse të jetë kështu për ty.
Ky vit na e ndali shpesh vrullin për të na e kujtuar. Mbylli bizneset për të na rikthyer në shtëpi. Uli qepenat për të na kujtuar të hapim dritaret.
Na mungoi dielli, për të na rikujtuar që njerëzit janë më të rëndësishmit që kemi.
Kam lexuar diku:”Kujtohu që kura, nëse vërtet ekziston një e tillë, janë njerëzit. Mos i harro ata. Duart e tyre, problemet e tyre, historitë e tyre të vogla, por të mrekullueshme.”
Në fund të ditës më të keqe kupton qe do të të duhen njerëz.
Në fund të ditës më të mirë, kupton që do të të duhen njerëz.
Do të të duhen njerëz që qëndrojnë aty dhe kur nuk ja kërkon, që nuk harrojnë të pyesin si je, që preokupohen.
Do të të duhen njerëz për të qarë, për tu ankuar, për të të dëgjuar.
Do të të duhen njerëz për të festuar, për të qeshur, për tu harruar.
Do të të duhen njerëz që në ditët që janë me më shumë nerva kërkojnë të pinë atë gotën e verës me ty, si për ti thënë jetës, e di që je e shkurtër, ndaj po të shijoj gjatë.
Do të të duhen njerëz që të shikojnë në sy dhe thonë gjithçka ashtu, e në të njëjtën kohë dinë të të flasin me fjalë kur është e nevojshme.
Do të te duhen njerëz pozitiv e me diell, për t’u bere ballë stuhive të përditshmerise, njerëz që dinë të qeshin.
Në fund të ditës kupton qe do të të duhen njerëz, të vërtetë, me zemrën dhe shpirtin hapur, të gatshëm për të qenë. Dhe do të të duhet të jesh një njeri i tillë për të tjerët.
Lindim dhe vdesim vetëm, ama ndërkohë, mes të dyjave nuk mund të bëjme absolutisht asgjë vetëm.
Do të të duhen njerëz.
Do të na duhen njerëz.
Jemi të gjithë të përkohshëm. Jemi të gjithë të zëvendësueshëm.
Por…ama…unë i kam disa të pazëvendësueshëm, dhe të tillë dua ti mbaj; me vendin e tyre të paprekur e që do i presë gjithmonë.
Jemi të gjithë të zëvendësueshëm, por ti jo.
Ikim e vijmë pasi mbarojmë misionet tona, por ti do rrish. Ndoshta përjetë jo, por këtë jetë, po.
© AZ
11/10/2020