
Lëre dritën ndezur, të lutem.
Dëgjoje me vëmendje dikë që po bën shaka. Me siguri, mes atyre batutave do të gjesh çdo gjë ka frikë mos humbi, çdo gjë i dhemb. Lexo mes rreshtave të fjalëve që të bëjnë për të qeshur , e mund të zbulosh çdo gjë e tmerron.
Sepse, për fat të keq, diku, dikush, na mësoi që është turp të mërzitesh, që nuk ka lezet të tregosh që nuk je mirë. E për fat të keq, ne dëgjuam, mësuam dhe përvetësuam.
Nuk është e nevojshme të jetë e madhe dhe e rëndë diçka për të merituar vëmendje. Edhe një problem i vogël, edhe një parehati minimale, mund të kthehen në monstra, që nëse do ishte dëgjuar ajo: “Nuk po ndihem rehat”, nuk do të ishim duke u munduar për të gjetur kurën e asaj: “Nuk dua të çohem nga krevati.”
Që kur jemi të vegjël e kemi frikë nga errësira, e kërkojmë mos të fikin dritën, na thonë që nuk ka asgjë për të patur frikë, dhe drita mbyllet e ne mbetemi të ngrirë, duke u lutur që gjumi të vijë sa më shpejtë.
Na kanë mësuar që duke mos i dhënë rëndësi gjërave, ato kalojnë. Na kanë rritur duke injoruar ndjenjat e emocionet tona. Kështu, pa e kuptuar as vetë si, gjendemi të rritur duke mos ditur ti japim zë dhimbjes, se nuk ka rëndësi. Gjendemi, duke mos ditur ti japim fjalë ndjenjës, se nuk duhet ta bëjmë të madhe. Gjendemi të tmerruar e me frikë në palcë ndaj trishtimit, ndaj dhimbjes, ndaj zhgënjimit sa mpihemi deri në ngrirje edhe të buzëqeshjes, edhe të gëzimit, edhe të lumturisë.
Na kanë gënjyer.
Asgjë nuk shërohet nëse nuk flitet. Asgjë nuk kalohet nëse nuk i jepet vëmendje. Edhe pse, duket shumë thjesht ashtu, në fakt sa herë nuk “japim rëndësi” veç po arratisemi. Përballja kërkon guxim që shpesh nuk e kemi.
Ne na duket vetja të fortë, sa herë i mbyllim gjërat pa i bërë të mëdha, se jeta kështu e paska, të gjitha për njeriun qenkan. E harrojmë një gjë të rëndësishme, që vërtet jeta kështu e ka, që vërtet të gjitha për njeriun janë, që nëse kjo jetë ka shumë njerëz, një njeri ka veç një jetë; për të cilën ka gjithë të drejtën e botës ta jetojë me të gjithë ngjyrat që ajo vjen. Ama, ta jetojë.
Nëse sot gjendesh, në cepin e dhomës tënde, zhytur në errësirë, pa fuqi për të bërë qoftë edhe një veprim të vetëm, qëndro, pa ndjerë nevojën të justifikohesh. Nëse je mpirë pa lëvizur, tmerruar nga errësira, mblidh çdo emocion të pafolur, çdo muzikë të pakërcyer, çdo dhimbje të pakaluar, dhe ndiz dritën.
Lëre dritën ndezur, të lutem. Nuk ka asgjë të keqe të ndjesh frikë nga errësira. Nuk ka asgjë të turpshme të duash më shumë, nuk ka asgjë për të fshehur nëse të dhemb shpirti.
Diku, dikush do të të kuptojë, dhe ti do e dish, sepse nuk do ndjesh nevojë të kërkosh falje, sepse nuk do ndjesh nevojë të falenderosh për kohën që po të jep, sepse do të të bëjë të kuptosh që ti kohën, e meriton, që dhimbja jote, gëzimi jot, emocioni kot, kohën e meriton.
Do e kuptosh sepse para se të ikë, do e lërë dritën ndezur.
©AZ
📷© Dea Balliaj @Atelié Gjyms’Hana
08/02/2020